BERZH me fokus tek emigrimi: Një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar
Emigracioni po krijon boshllëk demografik dhe presion afatgjatë mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Raporti i Tranzicionit 2025–26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me titull “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, i cili prezantohet në ambientet e Bankës së Shqipërisë, vendos theksin te emigracioni si një nga sfidat më shqetësuese për vendin. Sipas raportit, Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë përjetuar nivelet më të larta të emigrimit në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990.
Humbja demografike që nga viti 1990
Të dhënat e BERZH tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 gjatë periudhës 1990–2023 vetëm përmes emigracionit neto, niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë grupin e ekonomive të BERZH. Shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të kësaj periudhe dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, duke e zbutur pjesërisht goditjen, por pa arritur të neutralizojë flukset e largimit.
Edhe Kosova ka humbur rreth 50 për qind të popullsisë së vitit 1990 në të njëjtën periudhë, niveli më i lartë në Europë, ndonëse ka pasur një shtesë natyrore më të fortë se Shqipëria, afro 40 për qind.
Ndikimi në rritjen ekonomike
Raporti thekson se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të ndjeshëm të rritjes ekonomike në Shqipëri. Për herë të parë, BERZH mat ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë, duke treguar se për periudhën 2000–2023 kontributi i popullsisë ka qenë negativ, me rreth minus 0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.
Për periudhën 2024–2050, ky ndikim pritet të thellohet në minus 0.3 deri në minus 0.4 pikë përqindje në vit, duke e renditur Shqipërinë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin e BERZH. Edhe për periudhën 2050–2100, sinjali mbetet negativ, çka tregon se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vijojnë të shoqërojnë ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.
Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm. Raporti paralajmëron se, në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, forcimit të kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vijojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada.
Solovova: po humbasim kapitalin njerëzor
Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri, ka deklaruar në një intervistë për “Monitor” se raporti i fundit i Tranzicionit nënvizon një fakt shqetësues: pothuajse një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi, ndërsa relativisht pak persona të arsimuar kanë ardhur nga jashtë. Kjo prirje vihet re në shumë ekonomi të Europës në zhvillim, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm pak vende, si Bosnja dhe Hercegovina, kanë norma edhe më të larta emigrimi të personave me arsim universitar.
Sipas saj, përvoja e vendeve të tjera, nga Polonia deri në Meksikë, tregon se me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe rritjen e të ardhurave, bilanci i migracionit neto mund të ndryshojë gradualisht, duke nxitur kthimin e individëve të arsimuar dhe ardhjen e punonjësve të kualifikuar nga vende të tjera. Sfida për politikëbërësit mbetet krijimi i kushteve që këta individë të jenë sa më produktivë, përmes lehtësirave administrative, fiskale dhe përmirësimit të qeverisjes dhe klimës së biznesit.
Ikja e trurit dhe kthimet minimale
Përllogaritjet e BERZH tregojnë se rreth 23 për qind e personave të arsimuar nga Shqipëria kishin emigruar në vitet 2023–2024, ndërsa vetëm 2–3 për qind e tyre janë rikthyer. Shqipëria renditet ndër vendet me emigracionin më të lartë të popullsisë së arsimuar në rajonin e BERZH, me nivele të krahasueshme vetëm me Bosnjën, Autoritetin Palestinez dhe Taxhikistanin.
Të dhënat tregojnë se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë, duke krijuar një diferencë shumë të madhe mes “daljes” dhe “hyrjes” së talenteve, një nga disproporcionet më të larta mes ekonomive të BERZH. Studime të tjera vendase tregojnë se profesionistët largohen kryesisht për paga më të larta, tregje më të qëndrueshme pune dhe kushte më të avancuara për karrierë, kërkim dhe inovacion në vendet e Bashkimit Europian.
Në të kundërt, Shqipëria mbetet pak tërheqëse për profesionistët e huaj për shkak të tregut të vogël, pagave relativisht të ulëta, mundësive të kufizuara në sektorët e teknologjisë dhe kërkimit, si dhe një klime institucionale dhe ekonomike që vlerësohet ende e brishtë. Këto zhvillime demografike po krijojnë një rreth vicioz që nxit më tej emigracionin dhe e bën gjithnjë e më të vështirë modernizimin e ekonomisë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






